Arrestohet pronari i UET, Henri Çili, mori 750 mijë euro në këmbim të lirisë së vrasësve

Arrestohet gjatë natës pronari i UET, Henri Çili, shoferi i tij, avokati Ilir Korbi, biznesmeni Sait Fishta dhe 8 persona të tjerë. Të arrestuarit akuzohen se kanë ndikuar tek gjyqtarët për të liruar Arbion dhe Alban Alikon. Ndaj Çilit rëndojnë akuzat për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.

TIRANËDosja.al zbulon ekskluzivisht se mbrëmjen e së enjtes u arrestua në Tiranë për llogari të Gjykatës së Gjirokastrës, pronari i Universitetit Europian të Tiranës, njëherazi dhe botuesi, Henri Çili. Bashkë me të, në prangat e Policisë kanë rënë  Drejtori Juridik i UET-së,  Ilir Korbi, biznesmeni shkodran, Sait Fishta, shoferi i Çilit (identiteti i të cilit ende nuk dihet) dhe 8 persona të tjerë. Urdhër-arrestet për ndalimin e tyre janë lëshuar nga Prokuroria e Përmetit, pasi akuzohen se ndikuan tek gjyqtarët për të liruar nga burgu dy nga anëtarët e grupit të Lazaratit, të dënuar për vrasjen e efektivit të RENEA-s, Ibrahim Basha.

Dosja.al gjithashtu zbardhi dosjen hetimore, ku rezulton se Henri Çili ka marrë një sasi prej 750 mijë euro para dhe prona, nga babai i dy djemve Aliko, Adili, i cili gjithashtu është arrestuar për të korruptuar gjyqtar në Gjykatën e Lartë, për të nxjerrë nga burgu, dy rebelët e Lazaratit. Hetimet për Henri Çilin kanë filluar që në shtator 2019, rastësisht, gjatë përgjimeve që prokuroria po zbardhte për një grup që dyshohej se kultivonte kanabis.

Botuesi është kapur në përgjime me babain e Arbjon dhe Alban Alikos, Adil Aliko, ku në këmbim të 750 mijë eurove do të arrinte të ndikonte tek relatori i çështjes në Gjykatën e Lartë, për lirimin e tyre. Nga hetimet ka rezultuar se emri i Çilit del edhe në kontrata që janë për dhurim pronash në zonën e Gjirokastrës, por edhe në transaksione bankare. Pjesë e përgjimeve është edhe avokati Ilir Korbi. Të njëjtat burime bëjnë me dije se dosja e rekursit të Arbjon Alikos është gjetur në banesën e shoferit të Henri Çilit. Ndaj Çilit rëndojnë akuzat për korrupsion, ushtrim të ndikimit të paligjshëm, falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre. Gjithashtu, forca të shumta policore gjatë natës kryen kontrolle edhe në Universitetin Evropian të Tiranës, ku dhjetëra efektivë rrethuan godinën.

Ky operacion ka vijuar edhe në qytetin e Gjirokastrës mëngjesin e sotëm, ku Policia ka kryer kontrolle “blic” në fshatin Lazarat dhe deri më tani është arrestuar Amarildo Aliko, i afër i vëllezërve Aliko,  pasi në banesë i janë gjetur armë.

Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela e ka quajtur fryt i punës së një prokurorie të pavarur operacionin, ku u arrestua pronari i Universitetit Europian të Tiranës, njëherazi dhe botuesi, Henri Çili.“Këto janë frytet e prokurorisë, puna e prokurorisë, zbatimi i ligjit, reforma në drejtësi, këto janë rezultatet.”, është shpreh kryeprokurori për mediet.

Mund të ju interesojnë

Leave a Comment