Ekstradimi politik i mësuesit turk/ shuplak të drejtave të njeriut nga shqipëria.

Mbrëmjen e parë të vitit 2020 në media nisi të raportohej me shpejtësi deportimi nga Rinasi i një shtetasi turk, mësuesit Harun Çelik, i cili ishte pjesëtar i lëvizjes së klerikut Fetullah Gylen. Duket se autoritetet shqiptare, në bashkëpunim me ato turke, zgjodhën jo rastësisht ‘përgjumjen’ nga festat e fundvitit për të kryer këtë lëvizje të dyshimtë e që bie ndesh me rregullat e ekstradimit të shtetasve të huaj.

Gylenisti Harun Çelik, në përpjekje për t’iu larguar kërcënimeve nga Turqia, u kap në muajin korrik në aeroportin e Rinasit me dokumente false duke udhëtuar drejt Kanadasë. Ai kreu disa muaj dënim në paraburgim dhe u la i lirë. Por siç thotë avokati i tij për Zërin e Amerikës, 42-vjecari kërkoi azil politik në Shqipëri, kërkesë e cila iu refuzua. Për këtë ngjarje ka reaguar edhe eurodeputetja Ramona Strugariu. Përmes një postimi në Tëitter, ajo i kujton kryeministrit Rama ligjin dhe i kërkon të mos e ekstradojë Harun Celikun në Turqi.

“Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Shqipëria ka firmosur Konventën e Këshillit të Europës mbi ekstradimin. Për më shumë, ju thoni se Shqipëria është gati për në BE. Atëherë ju lutem respektoni nenin 19, pika 2 të Kartës Europiane për të Drejtat Themelore dhe mos e ekstradoni #HarunÇelik në Turqi!” shkroi ajo.

Neni në fjalë thotë: “Askush nuk mund të hiqet, përzihet ose ekstradohet drejt një Shteti ku ka rrezik serioz që ai apo ajo t’i nënshtrohet dënimit me vdekje, torturës apo trajtimeve të tjera ç’njerëzore apo degraduese.”

Për rastin në fjalë reagoi edhe Partia Demokratike, e cila i kërkon qeverisë të bëjë më tepër transparencë dhe të mos shkelë ligjet dhe të drejtat e njeriut.

“Heshtja dhe zgjedhja e dates 1 Janar per kete veprim na detyrojne te kerkojme trasparence te menjehereshme per cfare po ndodh, dhe pergjigje nese veprimet e autoriteteve jane ne perputhje me ligjet ne fuqi, konventat nderkombetare dhe te drejtat e njeriut? Eshte prioritare per cdo vend demokratik, vecanerisht ne procesin e integrimit europian, te respektoje keto parime, te drejta e detyrime. Shkelja e tyre eshte kthyer ne rregull per qeverine e korruptuar dhe te inkriminuar te Edi Rames”, thuhet në reagimin e PD-së.

Zëdhënësi i Policisë së Shtetit, Gentian Mullai, i tha “Zërit të Amerikës”, se “ky shtetas ishte i dënuar dhe të mërkurën doli nga burgu… Në bazë të ligjit për të huaj, janë bërë procedurat ligjore për largim nga Shqipëria”.

Pyetjes së “Zërit të Amerikës” nëse Harun Çelik kishte kërkuar strehim e mbrojtje nga Shqipëria si një veprimtar politik i rrezikuar në atdheun e tij në Turqi zëdhënësi iu përgjigj se “nuk kishte informacion tjetër”.

Ky rast të kujton atë që ndodhi në Kosovë në fillim të vitit 2018, ku u deportuan në mënyrë të fshehtë dhe në shkelje të plotë të ligjeve gjashtë shtetas turq të lidhur me lëvizjen e Gylen. Ata u rrëmbyen nga shërbimi sekret turk me avion të vecantë në aeroportin e Prishtinës.

Natyrisht duke patur këtu edhe mbështetjen e paligjshme të autoriteteve të inteligjencës kosovare. Pas këtij skandali u shkarkua nga Kryeministri kreu i Inteligjencës kosovare, Driton Gashi, dhe Ministri i Punëve të Brendshme, Flamur Sefaj. Nga ana tjetër në Kuvendin e Kosovës është ngritur një komision hetimor për këtë ngjarje.

Me deportimin e paligjshëm të shtetasit turk, i cili përndiqet në vendin e tij nga regjimi i Erdogan, edhe Shqipëria hyn kështu në radhën e vendeve që kanë shkelur ligjet dhe konventat e të drejtave të njeriut për t’i shërbyer ‘sulltanit’ të Bosforit.

Zyrtarisht Turqia i bëri kërkesë Shqipërisë dy vite më parë për të dorëzuar gylenistët që sipas saj janë në vendin tonë. Gjatë një vizite në Tiranë, ministri i Jashtëm i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu gjatë konferencës për shtyp me Ditmir Bushatin pati thënë:

“Ne nuk strehojmë asnjë terrorist që vjen nga Shqipëria. Të njëjtën gjë presim edhe nga miqtë tanë shqiptarë”.

Ditmir Bushati iu përgjigj, se Shqipëria do zbatonte “dokumente të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e ekstradimit”.

Pra, qeveria shqiptare ishte në një pozitë të vështirë, mes dy zjarreve, një nga perëndimi që nuk lejon shkeljen e ligjeve në raste si këto dhe tjetrit nga lindja. Me atë që ndodhi në mbrëmjen e parë të 2020, duket se Shqipëria lëshoi pe përballë presionit të “Sulltanit”.

Deri më tani s’ka një reagim nga Ministria e Jashtme apo Ministria e Drejtësisë për këtë rast. Kujtojmë që pas rrëmbimit të gjashtë shtetasve turq në Prishtinë, presidenti Erdogan falenderoi publikisht homologun e tij kosovar, Hashim Thaci, si dhe sulmoi kryeministrin Ramush Haradinaj.

“Operacioni i fundit në Kosovë (Operacioni i MIT-it në Kosovë kundrejt strukturës së FETO-s në Ballkan) nuk është as i pari, nuk do të jetë as i fundit. Prej këtu e falënderoj presidentin e Kosovës. Por kryeministrit i them ‘Turp’. Sepse largimi nga detyra i kreut të inteligjencës, ministrit të Brendshëm, të cilët na i dhanë anëtarët e organizatës terroriste FETO, është një gabim historik. Sepse ato e bënë detyrën e tyre”, deklaroi Erdogan.

Nuk është çudi që pas deportimit të paligjshëm nga Rinasi të mësuesit turk, edhe kryeministri Edi Rama të marrë ndonjë falenderim publik nga ‘vëllai’ Erdogan.

Mund të ju interesojnë

Leave a Comment