Propagandë në dritë të diellit që synon shejntërimin e kompanisë Albchrome.

Një kronikë e turpshme dhe histerike u zvhillua në emisionin “Opinion” ku synohej shejntërimi i kompanisë Albchrome në Bulqizë me pronar Samir Manen. Kronika u zhvillua pas shumë akuzave që po qarkullojnë së fundmi për shkeljen e të drejtave të minatorëve, presioneve që u behen atyre dhe largimeve nga puna.Në kronikë reklamohen “investimet e mëdha” që janë kryer në këtë minierë dhe rritjen e mirëqënies së minatorëve me përmirësimin e kushteve të punës. Kjo kronikë është një provë më tepër se media në Shqipëri është dhe vazhdon të jetë e shitur në funksion të oligarkëve.

Organizata Politike e cila ka ngritur zërin prej shumë kohësh nën moton “Samir Mane shtyp minatorët” dhe ka bërë publike rrëfimet e minatorëve në ketë minierë ka postuar në facebook këtë deklaratë:

“Mbrëmë në fund të emisionit “Opinion” të televizionit kombëtar Klan është transmetuar një kronikë propagandistike për kompaninë Albchrome të oligarkut miliarder Samir Mane. Gjatë kronikës shfaqeshin drejtori ekzekutiv i Albchrome-it, përgjegjësa të kompanisë, si dhe një dorë nëpunësish publikë të Bulqizës që u thurnin lavde investimeve dhe bamirësisë së kompanisë. Në thuajse 15 minuta transmetim nuk u pa të fliste asnjë minator i mirëfilltë, ashtu sikundër nuk u trajtua asnjë nga problemet e mëdha që minatorët dhe sindikalistët e Bulqizës ngrenë prej muajsh.

Me këtë kronikë televizioni Klan jo vetëm që ka thyer rëndë etikën gazetareske, por edhe ka shkelur me të dyja këmbët ligjin për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë.

Më konkretisht, nëse kronika e mbrëmshme do të konsiderohet raportim gazetaresk, redaksia e Klanit ka pasur detyrimin të zbatojë germën b të nenit të parë të këtij ligji, e cila thotë se “veprimtaria e transmetimeve audiovizive respekton paanshmërisht të drejtën për informacion…” Po ashtu, televizioni Klan ka shkelur pikën 1 të nenit 33, i cili kërkon nga ofruesi i shërbimit mediatik “a) të njoftojë dhe të paraqesë lajmet e transmetuara në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive; b) të sigurojë që trajtimi i ngjarjeve, përfshirë çështjet, që janë tema të debatit publik, të jetë i drejtë për gjitha subjektet e interesuara në këto çështje dhe të paraqitet në mënyrë të vërtetë dhe të paanshme.” Kronika e televizionit Klan ishte tërësisht e njëanshme, kundër çdo objektiviteti, e pavërtetë dhe përjashtuese e palëve të interesuara për këtë çështje: minatorët e Bulqizës dhe veçanërisht Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

Nëse transmetimi i mbrëmshëm në televizionin Klan klasifikohet në “komunikimet me natyrë tregtare”, atëherë transmetuesit e kishin për detyrim që ta shfaqnin qartësisht dhe me shenja të dallueshme karakterin tregtar të këtij transmetimi (neni 42, pika 1). Nga ana tjetër, si program i sponsorizuar nga kompania Albchrome, ishte e detyrueshme që kronika të shoqërohej nga emri, stema dhe/ose simbolet e subjektit sponsorizues “si nëpërmjet një shenje të dallueshme në fillim, gjatë tij ose në përfundim të programit.” (Shih germën c të pikës 1 të nenit 45 të ligjit!). Madje ne si shikues kemi të drejtën të informohemi mbi marrëveshjen e sponsorizimit midis televizionit dhe kompanisë Albchrome.

Me sa duket, kronika e televizionit Klan kategorizohet në transmetimet me natyrë tregtare të fshehura, të cilat janë të ndaluara sipas pikës 1 të nenit 42 të këtij ligji.

Sikur të besonim për një çast se në Shqipëri Autoriteti i Mediave Audiovizive do të kishte një pikë paanësie dhe ndershmërie, do të prisnim që ndaj televizionit Klan të jepeshin sanksionet e parashikuara në ligj dhe të detyrohej që në të ardhmen e afërt të pranonte shkeljen e ligjit dhe t’u jepte palëve kritike ndaj veprimtarisë së Albchrome-it të drejtën e barabartë të përgjigjes.

Po në Shqipëri as bufat nuk i besojnë pavarësisë së institucioneve. Prandaj na mbetet vetëm ta dënojmë publikisht karakterin propagandistik të kronikës së televizionit Klan, të shqetësohemi për natyrën oligarkike të pjesës më të madhe të mediave shqiptare dhe t’u bëjmë thirrje qytetarëve të informohen prej atyre të paktave burime mediatike që gëzojnë autoritet dhe besueshmëri.

Liria e medias bazohet në kërkimin e painteres të së vërtetës dhe barazpeshën e mendimeve!”

Mund të ju interesojnë

Leave a Comment