UEFA provon si u varfërua dhe ra cilësia e Superiores. Nuk jemi më konkurrues, rrogat pësuan kolaps

Kolapsi financiar që ka mbërthyer prej vitesh kampionatin shqiptar dhe rënia e cilësisë së tij ka filluar të pasqyrohet dukshëm edhe në raportet zyrtare të UEFA-s. Ai më i fundit i siguruar nga VIP Sport, tregon qartësisht se sa është përkeqësuar situata në Kategorinë Superiore duke sjellë edhe rënien e cilësisë.

Të dhënat zyrtare të raportit për vitin financiar 2018 (sezonin 2018-2019), tregojnë se klubet shqiptare të Superiores në total kanë shpenzuar 4 milionë euro për rrogat, njëlloj sa klubet kosovare, duke qenë vendet që paguajnë më pak në rajon. Këto janë të dhënat zyrtare që UEFA siguron nëpërmjet Federatave dhe zyrtarisht, federatat e të dy vendeve i kanë bërë të qartë se një klub i tyre shpenzon mesatarisht 400 mijë euro për rrogat e futbollistëve duke balancuar ata të kreut me ata që luftojnë për mbijetesën.

Vetëm klubet nga Armenia, Irlanda e Veirut, Andorra, Gjibraltari, Uellsi dhe San Marino kanë paguar mesatarisht më pak se klubet në Shqipëri dhe Kosovë, edhe pse duhet theksuar se trendi në dy vendet është tërësisht i kundërti e në sezonin aktual mund të ketë ndryshime të mëdha.

Sipas të dhënave të UEFA-s rezulton se në Kosovë, në krahasim me bilancin e  një viti më parë (2017), pagesat mesatare të futbollistëve janë rritur me 92%, duke shënuar një hov të madh në këtë aspekt. Kurse në Shqipëri është e kundërta dhe nuk nxit afrimin e lojtarëve cilësorë, pasi rrogat e futbollistëve kanë pësuar një rënie me 29% të tyre. Asnjë vend tjetër në Europë nuk ka pasur një rënie kaq drastike të pagave të futbollistëve sa Kategoria Superiore, me kampionatin më të afërt që është i Lihtenshtejnit me -17%. E megjithatë, një klub në kampionatin amator të Lihtenshtejnit paguan mesatarisht 800 mijë euro rroga në vit, që do të thotë dyfishin e kampionatit shqiptar.

Një material ky që në teori duhej të kishte alarmuar Sindikatën e Futbollistëve, pasi anëtarët e saj janë të parët që vuajnë nga ky varfërim i kampionatit shqiptar. E njëjta gjë edhe për FSHF-në apo Ligën “fantazmë” e cila duhej të merrej me produktin i cili po zhvlerësohet gjithnjë e më shumë nga rënia e cilësisë meqë nuk arrin të konkurrojë me askënd në rajon. Por të gjitha palët thjesht injorojnë kambanat e alarmit që bien prej vitesh dhe tashmë kanë mbetur me shpresën që nga ky batak ku kanë futur futbollin shqiptar, t’i nxjerrë vetëm ndihma e shtetit që herë pas here nuk harrojnë ta sulmojnë. /vipsport.al/

Mund të ju interesojnë

Leave a Comment